Zëvendëskryeministrat Stoilkoviq dhe Mesaroviq vizitë të përbashkët në kompanitë e Maqedonisë në prag të forumit të nesërm të biznesit

Zëvendëskryeministrat Stoilkoviq dhe Mesaroviq vizitë të përbashkët në kompanitë e Maqedonisë në prag të forumit të nesërm të biznesit

Në prag të forumit të nesërm maqedono – serb të biznesit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së RMV-së dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkovikq dhe zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe ministre e ekonomisë, znj. Adrijana Mesaroviq, realizuan një vizitë të përbashkët në dy kompani të suksesshme të Maqedonisë, “Pekabesko” dhe kantinën e verës “Kamnik”.

Vizita, e cila u mbajt me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjes së komunitetit të biznesit, përbën hyrje në forumin e madh maqedono – serb të biznesit që do të mbahet nesër në Shkup.

Gjatë vizitës u shkëmbyen informacione për proceset aktuale të prodhimit, potencialin eksportues dhe mundësitë për zgjerimin e plasmanit në tregjet rajonale. Të dy përfaqësuesit e lartë theksuan se këto kompani janë shembull i modeleve të suksesshme të biznesit që mund të kontribuojnë në lidhjen ekonomike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së gjithë rajonit.

Në kontekst të forumit të ardhshëm, Stoilkoviq dhe Mesaroviq theksuan se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është në rritje të vazhdueshme dhe se ekziston vullnet i qartë për përmirësim të mëtejmë.

Forumi i biznesit maqedono – serb në Shkup do t’i mbledhë në një vend kompanitë, institucionet dhe investitorët kryesorë nga të dy vendet, me qëllim krijimin e mundësive të reja biznesore dhe forcimin e lidhjeve ekonomike.

Para fillimit të forumit të biznesit, Stoilkoviq dhe Mesaroviq do të nënshkruajnë edhe një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim mes Qeverisë së RMV-së dhe Qeverisë së Serbisë.

Accessibility Menu