Shkup, 3.12.2025 – Sot, pak para fillimit zyrtar të forumit maqedono-serb të biznesit në Shkup, në Qeverinë e RMV-së u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë. Dokumenti u nënshkrua nga zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq dhe zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Serbisë dhe ministre e ekonomisë, znj. Adriana Mesaroviq.
Memorandumi paraqet një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit strategjik ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe vendos një kornizë për nxitjen e tregtisë, investimeve, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta. Dokumenti përfshin avancimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira, koordinimin e politikave ekonomike, mbështetjen për subjektet afariste dhe krijimin e kushteve për një paraqitje më të fuqishme të përbashkët në tregjet rajonale dhe të treta.
Theks i posaçëm i është dhënë përmirësimit të lidhjes infrastrukturore mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët siç është zhvillimi dhe modernizimi i infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore.
Me nënshkrimin e sotëm, Memorandumi, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet i vlefshëm pesë vjet, konfirmon vullnetin e qartë politik dhe përcaktimin e përbashkët të të dy qeverive për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për komunitetin e biznesit.
Nënshkrimi pason vizitën e djeshme të përbashkët të zëvendëskryeministrave Stoilkoviq dhe Mesaroviq në kompanitë “Pekabesko” dhe kantinën e verës “Kamnik”. Gjatë vizitës u prezantuan kapacitetet prodhuese, potenciali eksportues dhe perspektivat për forcimin e bashkëpunimit rajonal, ndërsa u theksua se kompanitë e suksesshme nga të dy vendet përbëjnë një bazë të fortë për përshpejtimin e lidhjes ekonomike.
Forumi i sotëm maqedono-serb i biznesit e përmbyll këtë iniciativë të përbashkët, duke bashkuar kompanitë udhëheqëse, institucionet dhe investitorët nga vendi dhe Serbia. Pritet që forumi të hapë partneritete të reja, të forcojë kontaktet biznesore dhe të mundësojë operacionalizim të shpejtë të prioriteteve të parashikuara në Memorandum, duke kontribuar në zhvillim edhe më intensiv ekonomik dhe bashkëpunim mes dy shteteve.