Me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dokument i cili i dha fund konfliktit të vitin 2001, i cili solli paqen dhe ndërtoi një Maqedoni demokratike, multietnike me qytetarë të barabartë, në vitin 2004 Qeveria e Republikës së Maqedonisë themeloi Sektorin për zbatimin e Marrëveshjës Kornizë. Në vitin 2008, ky sektor u shndërrua në Sekretariat për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë.
Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, kishte për detyrë zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si dhe ofrimin e mbështetjes administrative dhe profesionale për zëvendëskryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë. Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë fillimisht e udhëhoqi Imer Selmani, kuadër i PDSH-së, në atë kohë pjesë e koalicionit qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Pas Selmanit, postin e ka marrë Imer Aliu, po ashtu kuadër i PDSH-së.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2008, në krye të Sekretariatit erdhi Abdilaqim Ademi, i cili me propozim të BDI-së u emërua zëvendëskryeministër. Në këtë pozitë ai qëndroi deri në vitin 2011, kur pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, BDI në koalicion me VMRO-DPMNE-në e emëruan Musa Xhaferin zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë. Këtë pozitë Xhaferi e mbajti rreth pesë vit, pra deri në prill të vitit 2016, kur BDI-ja ndryshoi disa zyrtarë të saj. Festim Halili zëvendësoi Musa Xhaferin. Pas formimit të Qeverisë së re, të udhëhequr nga kreu i LSDM-së Zoran Zaev, në këtë pozitë u emërua Hazbi Lika.
Në mars të vitit 2019, Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë u shfuqizua, Kuvendi miratoi dy ligje për themelimin e Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, ku si ministër i parë u emërua Sadula Duraki nga BDI. Pas tij në këtë detyrë erdhi bashkë partiaku i tij Artan Grubi, i cili qëndroi në këtë pozitë deri në vitin 2024.
Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Organizimin e Organeve të Administratës Shtetërore, Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive u shndërrua në Ministrinë e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, e cila nga 24 qershor 2024 drejtohet nga Ivan Stoilkoviq, i cili është edhe zëvendëskryetar i Qeverisë së RMV-së.
Në përbërje të Ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive përfshihen:
- Drejtoria për Zhvillimin dhe Avancimin e Arsimit në Gjuhët e Anëtarëve të Bashkësive dhe
- Drejtoria për Afirmimin dhe Promovimin e Kulturës së Pjesëtarëve të Bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Qëllimet dhe kompetencat:
- Ofrimi dhe koordinimi i mbështetjes për Qeverinë në zbatimin e prioritetit strategjik lidhur me obligimet që dalin nga Marrëveshja Kornizë
- Sigurimi dhe realizimi i mjeteve financiare të nevojshme për realizimin me sukses të procesit të zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja Kornizë në kuadër të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga donatorët.
- Sigurimi i koordinimit dhe harmonizimit të punës së organeve të administratës shtetërore për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë
- Avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të bashkësive si grup i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët tradicionalisht jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë dallime të ndryshme etnike, gjuhësore, kulturore, fetare ose veçori të tjera dhe udhëhiqen nga dëshira për mbrojtjen dhe edukimin e atyre veçorive
-
Monitorimi i zbatimit të së drejtës së përdorimit të gjuhëve dhe shkrimeve të bashkësive
Garantimi i mbrojtjes së identitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor të bashkësive
Çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive
-
Bashkëpunimi ndërkombëtar për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive
Promovimi dhe marrja e masave për avancimin e përdorimit të gjuhës që flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Monitorimi i gjendjes së marrëdhënieve ndërmjet bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut në nivel kombëtar, sipas rajonit dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe përgatitja e raporteve dhe rekomandimeve për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive
- Dhënia e mendimeve të ekspertëve për materialet që janë në funksion të zbatimit dhe avancimit të përdorimit të gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
- Ofrimi i mbështetjes së Qeverisë në sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në organet e administratës shtetërore
- Dhënia përkrahje në përgatitjen e metodologjisë për miratimin e planeve aksionale të Qeverisë në fushën e përfaqësimit të drejtë në punësim dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me ligj.
Misioni
Krijimi i politikave që synojnë zbatimin e lirshëm dhe pa pengesa të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive etnike, avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe forcimin e kohezionit multikulturor, si dhe promovimin e vlerave multikulturore, ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe nevojën e respektimit të diversitetit të shprehjeve kulturore.
Vizioni
Marrëveshja Kornizë e Ohrit e zbatuar në mënyrë efektive dhe të plotë si bazë për garantimin e stabilitetit të shtetit në të cilin promovohet zhvillimi paqësor dhe harmonik i shoqërisë duke respektuar identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të saj, këmbëngulës në ndërtimin dhe forcimin e kohezionit dhe promovimit multikulturor të vlerave multikulturore.