Takim Stoilkoviq – Mesaroviq: Qëllim i përbashkët, rajon stabil dhe i lidhur ekonomikisht

Takim Stoilkoviq – Mesaroviq: Qëllim i përbashkët, rajon stabil dhe i lidhur ekonomikisht

Zëvendës kryetari i Qeverisë së RMV-së dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, sot në Beograd ka realizuar një takim pune me zëvendës kryetaren dhe ministren e Ekonomisë së Republikës së Serbisë, znj. Adrijana Mesaroviq.

Gjatë takimit u diskutua për disa tema, duke pasur parasysh interesin e përbashkët të të dy vendeve për avancimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e projekteve të përbashkëta investuese, si dhe për paraqitjen e përbashkët në tregje të treta, në prag të forumit maqedono-serb të biznesit që do të mbahet në Shkup më 3 dhjetor.

“Meqenëse qëllimi ynë i përbashkët është intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimit tregtar, sot patëm një takim shumë konstruktiv me zëvendëskryeministren e Republikës së Serbisë, znj. Adrijana Mesaroviq. Të dhënat tashmë tregojnë se këtë vit, pavarësisht të gjitha sfidave, shkëmbimi ekonomik do të jetë më i madh se vitin e kaluar, duke marrë parasysh se në nëntë muajt e parë është realizuar shkëmbim prej më shumë se 1.1 miliardë eurosh, ndërsa në vitin 2024 ai ishte 1.4 miliardë euro”, theksoi pas takimit zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq.

Ai shtoi se vizita përfaqëson edhe një konfirmim të dialogut të vazhdueshëm dhe partneritetit mes të dy vendeve, të orientuar drejt një rajoni të qëndrueshëm, të lidhur ekonomikisht dhe të orientuar drejt Evropës në Ballkanin Perëndimor.

“Bizneset kërkojnë bashkëpunim dhe qëllimi ynë është t’u dalim në krah kërkesave të tyre dhe t’i lidhim edhe më shumë. Me mbështetjen e kryeministrit të RMV-së, z. Hristijan Mickoski, më 3 dhjetor në Shkup do të organizojmë një Forum të madh Biznesi, ku do të diskutojmë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, plasimin e produkteve maqedonase dhe serbe në tregjet e të dy vendeve, për çka ekzistojnë potenciale serioze. Qeveria e Hristijan Mickoskit ndjek politika të përgjegjshme që sjellin rezultate konkrete, rritje të qëndrueshme ekonomike, hapjen e tregjeve të reja dhe forcimin e stabilitetit dhe lidhjes rajonale. Fal këtyre politikave, bizneset tona do të kenë gjithnjë e më shumë mundësi për plasimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në tregje të tjera”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq.

Ky takim konfirmoi se bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë vazhdon të zhvillohet në frymën e partneritetit, besimit dhe interesave të përbashkëta ekonomike dhe rajonale.

Accessibility Menu