Stoilkoviq në konferencën “Western Balkans 2030” – digjitalizimi dhe modernizimi nxitës të një rajoni më të fuqishëm dhe të ndërlidhur

Stoilkoviq në konferencën “Western Balkans 2030” – digjitalizimi dhe modernizimi nxitës të një rajoni më të fuqishëm dhe të ndërlidhur

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Western Balkans 2030”, të organizuar nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB), e cila u mbajt në Beograd. Ngjarja mblodhi përfaqësues të lartë qeveritarë, ekspertë dhe liderë të biznesit nga rajoni dhe Bashkimi Evropian, me qëllim diskutimin për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, integrimin rajonal, transformimin digjital dhe ekonominë moderne e të zgjuar.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Stoilkoviq ka theksuar se konferenca përbën një mundësi të shkëlqyer për shkëmbim përvojash, idesh dhe vizionesh midis vendeve të rajonit.

“Bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja ekonomike dhe transformimi digjital janë çelësi për një Ballkan stabil dhe prosperues brenda një Evrope të qëndrueshme”, ka nënvizuar ai.

Stoilkoviq theksoi se e ardhmja e rajonit qëndron në integrimin funksional, ku kufijtë do të shndërrohen në pika kalimi për përfitim të ndërsjellë dhe jo në pengesa për zhvillim.

“Rajoni ynë për një kohë të gjatë ka qenë i bllokuar ndërmjet hijeve politike dhe barrierave ekonomike. Sot, të ardhmen e shohim në zgjidhje të zgjuara, në investime të përbashkëta dhe në infrastrukturë digjitale që i lidh njerëzit, institucionet dhe ekonomitë”, ka deklaruar zëvendës kryetari i Qeverisë.

Një theks i veçantë në fjalimin e tij iu kushtua digjitalizimit dhe modernizimit si nxitës të përparimit institucional dhe efikasitetit ekonomik. Republika e Maqedonisë së Veriut, siç theksoi ai, po punon në mënyrë aktive në modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe energjetike, veçanërisht në Korridorin 10, pjesë e Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T), si dhe në zgjidhje digjitale që mundësojnë ndërlidhje më të mirë dhe transparencë në sektorin publik.

“Me mbështetjen e BE-së dhe EIB dëshirojmë të ndërtojmë infrastrukturë të ndërveprueshme, energjetikisht efikase dhe të harmonizuar me standardet evropiane. Por, që kjo të bëhet realitet, është i domosdoshëm planifikimi i përbashkët, bashkëpunimi ndërkufitar dhe shkëmbimi i praktikave të mira”, theksoi Stoilkoviq.

Në përmbyllje, zëvendëskryeministri dërgoi mesazhin se Ballkani Perëndimor nuk është vetëm në prag të Evropës, por është pjesë përbërëse e familjes evropiane.

“Le të ndërtojmë një rajon ku të rinjtë qëndrojnë sepse kanë mundësi, ku investitorët investojnë sepse ka parashikueshmëri dhe ku bashkëpunimi i tejkalon ndarjet”, tha Stoilkoviq.

Accessibility Menu