Me konferencën përmbyllëse “Forumi i bashkësive më të vogla”, Instituti për Ndryshime Sociale “InSok” e përmbylli projektin “Nga paragjykimet në miqësi: Iniciativa lokale për shoqëri gjithëpërfshirëse”, i mbështetur nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Projekti u realizua gjatë katër muajve në pesë komuna shumetnike në mbarë vendin, duke përfshirë më shumë se 500 të rinj, 50 përfaqësues të bashkësive dhe 20 organizata qytetare. Aktivitetet ishin të orientuara drejt forcimit të tolerancës ndëretnike, promovimit të kohezionit social dhe nxitjes së pjesëmarrjes aktive të të rinjve në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Projekti bazohet në një qasje holistike që kombinon arsimin, politikat publike dhe aktivizmin qytetar, duke nxitur iniciativa lokale dhe dialog midis bashkësive të ndryshme etnike.
Brenda projektit u realizuan një sërë aktivitetesh, ndër të cilat:
· Analiza e kornizës ligjore për përfshirje ndëretnike;
· Trajnime për aktivizëm qytetar për të rinjtë nga bashkësi të ndryshme;
· Fushatë kreative kundër stereotipeve përmes organizimit të konkurseve (postera, video, ese) me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik;
· Debate me nxënës dhe studentë mbi temën e multikulturalizmit dhe tolerancës;
· Forumi i bashkësive më të vogla, ngjarja përmbyllëse për shkëmbim përvojash dhe ide për hapat e ardhshëm.
Në këtë forum mori pjesë edhe z. Vladimir Stojanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, i cili foli në temën “Çfarë kemi bërë deri më tani për bashkësitë jo shumicë”, duke mundësuar diskutim të hapur midis përfaqësuesve të institucioneve, organizatave qytetare, bashkësive lokale dhe të rinjve, me qëllim identifikimin e prioriteteve të përbashkëta dhe modeleve për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëjetesës.
Me realizimin e suksesshëm të projektit “Nga paragjykimet në miqësi”, InSok edhe një herë e konfirmoi misionin e vet për të kontribuar në krijimin e një shoqërie të bazuar në përfshirje, mirëkuptim dhe bashkëpunim midis të gjitha bashkësive, si dhe përmes promovimit të programeve edukative, mundësive të zgjeruara për dialog dhe pjesëmarrjes në iniciativa të përbashkëta qytetare, të reduktojë stereotipet dhe paragjykimet.