Zëvendësministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Nezhdet Mustafa dhe shefi i Departamentit të Monitorimit në misionin e OSBE-së në Shkup, Eben Fridman, zhvilluan një takim ku u shkëmbyen ide, iniciativa dhe strategji për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe avancimin e bashkëjetesës në Maqedoni.
Pikat që u diskutuan ishin sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi në proceset e reformimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, si dhe rëndësia e bashkëpunimit mes Qeverisë së RMV-së dhe OSBE-së në kontekstin e vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe integrimit të bashkësive të ndryshme etnike. z. Fridman konfirmoi mbështetjen e OSBE-së për forcimin e vazhdueshëm të proceseve demokratike në vend, veçanërisht në fushat e arsimit, sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve që punojnë për integrimin e bashkësive të ndryshme.
Ky takim ishte edhe një dëshmi e përkushtimit të fortë të OSBE-së dhe autoriteteve të Maqedonisë për krijimin e një shoqërie të bazuar në barazi, bashkëjetesë dhe mirëkuptim të ndërsjellë. U shprehën pritshmëri të përbashkëta për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm dhe avancimin e reformave që do të çojnë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë për vendin.