Në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë, sot në Shkup mbërriti Kryeministri i Republikës së Serbisë, z. Gjuro Macut. Delegacioni i lartë nga Republika e Serbisë u prit në mënyrë solemne në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq.
Në kuadër të vizitës, kryeministri Macut zhvilloi një takim pune me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski. Në takim morën pjesë edhe ministrat e të dy qeverive, z. Dragan Glamoçiq, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit i Republikës së Serbisë, znj. Jagoda Lazareviq, ministre e Tregtisë së Jashtme dhe të Brendshme e Republikës së Serbisë, z. Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, gjatë së cilës u shkëmbyen mendime mbi çështje me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit dypalësh në disa sektorë, përfshirë ekonominë, energjetikën, infrastrukturën, kulturën dhe arsimin.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, forcimi i dialogut politik, si dhe koordinimi brenda iniciativave rajonale dhe proceseve të integrimit evropian, ku të dyja vendet shprehën gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të mëtejshme.
Pjesa punuese e vizitës vazhdoi me një drekë solemne të organizuar në Klubin e Deputetëve, ku bisedimet ndërmjet dy delegacioneve vazhduan në një atmosferë joformale, por të ngrohtë dhe produktive. Mikpritës i drekës ishte zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq.
Vizita zyrtare e kryeministrit të Republikës së Serbisë, z. Gjuro Macut, paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe miqësore midis dy vendeve, të bazuara në respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe përkushtim të përbashkët për stabilitet, zhvillim dhe prosperitet të tërë rajonit.