Në organizim të Shoqatës së afaristëve Vllehë të Maqedonisë “Mandra” Shkup dhe me mbështetje të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, u mbajt Festivali i 7-të Ndërkombëtar i Këngëve dhe Valleve Vllehe me titull “Kënga na bashkon 2025”.
Qëllimi i festivalit është të ruajë, ringjallë dhe promovojë kulturën, gjuhën, traditat dhe zakonet unike të bashkësisë vlleh në Maqedoni dhe në kontekst më të gjerë ballkanik e evropian, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e kësaj pasurie kulturore nga harresa dhe zhdukja.
Vllehët, të cilët si bashkësi etnike nuk kanë shtet amë, jetojnë të shpërndarë në mbarë botën, ndërsa prania e tyre është veçanërisht e theksuar në Ballkan. Pavarësisht largësisë gjeografike, ata kanë ruajtur gjuhën dhe vlerat e tyre kulturore. Përmes festivalit, kënga dhe vallja u shfaqën si simboli më i fuqishëm i unitetit dhe lidhjes kulturore midis vllehëve nga vende të ndryshme.
Festivali u mbajt në tre segmente, me pjesëmarrjen e shumë grupeve këngëtare, ansambleve folklorike dhe interpretuesve solo nga Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Rumania. Ngjarja u hap nga grupi këngëtar “Vllehët krenar” me interpretimin e himnit të tyre, pas së cilës vijuan fjalimet përshëndetëse nga Ljubica Gorgieva, konferenciere e festivalit, drejtuesi i festivalit, z. Gjorgji Gjorgiev – Xhujapi dhe z. Ismail Demiroviq, drejtor i Drejtorisë për afirmim dhe përparim të kulturës së anëtarëve të bashkësive pranë Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, i cili e shpalli zyrtarisht festivalin të hapur.
Organizatorët theksuan se motivi për organizimin e këtij festivali ndërkombëtar dhe tradicional buron nga historia e bashkësisë vllehe, veçanërisht nga tragjedia e shkatërrimit të metropolit vlleh të Moskopojës, që çoi në shpërnguljen e vllahëve nëpër Ballkan dhe më gjerë. Në këtë kontekst, kënga konsiderohet si një gjuhë universale që i bashkon vllehët, kudo që ndodhen në botë.