Konfirmohet bashkëpunimi i suksesshëm me kampin sportiv “Serbia të thërret”

Konfirmohet bashkëpunimi i suksesshëm me kampin sportiv “Serbia të thërret”

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, sot realizoi një takim pune me z. Igor Marinkoviq, drejtor i kampit sportiv “Serbia të thërret”, projekt i dedikuar për fëmijët nga diaspora serbe, i cili çdo vit mbahet nën patronazhin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Takimi u zhvillua në frymën e thellimit të bashkëpunimit të deritanishëm dhe shqyrtimit të mundësive për avancimin e tij në periudhën e ardhshme. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq shprehu mirënjohje të sinqertë për përfshirjen e fëmijëve nga vendi, jo vetëm atyre me prejardhje etnike serbe, por edhe të fëmijëve maqedonas, duke theksuar rëndësinë e projektit nga aspekti kulturor, arsimor dhe sportiv.

“Pjesëmarrja në kamp paraqet jo vetëm mundësi për aktivitete sportive dhe socializim, por edhe një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe shpirtëror. Jemi sinqerisht mirënjohës që fëmijët nga vendi ynë janë pjesë e kësaj historie,” ka theksuar ministri Stoilkoviq.

Në takim u konstatua se programe të tilla përbëjnë mekanizma të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes anëtarëve të bashkësive nga diaspora dhe rrënjëve të tyre kulturore, si dhe për promovimin e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimit mes gjeneratave të reja.

Ky takim lidhet me angazhimin më të gjerë të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për mbështetjen e iniciativave që afirmojnë larminë etnike dhe e zhvillojnë karakterin multikulturor, si brenda shtetit ashtu edhe në bashkëpunim me institucione dhe projekte jashtë tij.

Këtë vit ministri Stoilkoviq mori pjesë edhe në pritjen solemne të organizuar nga presidenti i Serbisë, z. Aleksandar Vuçiq, në nder të pjesëmarrësve të rinj të kampit “Serbia të thërret 2025”. Kampi i këtij viti shënoi një rekord me pjesëmarrjen e gjithsej 436 fëmijëve nga 18 vende, ndër të cilët më të shumtë ishin pjesëmarrësit nga Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Accessibility Menu