Zëvendës kryetari i Qeverisë së RMV-së dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, sot nënshkroi Kontratën Kolektive për të punësuarit në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, me ç’rast bëhet një hap i rëndësishëm drejt avancimit të statusit të të punësuarve, përkatësisht përmirësohen ndjeshëm të drejtat e punëtorëve dhe sigurohen kushte më të favorshme se zgjidhjet e deritanishme ligjore në sektorin publik.
Me Kontratën Kolektive parashihet që rritja e pagave për nëpunësit administrativ të realizohet në tre faza, në periudhën nga marsi 2026 deri në mars 2028.
Me këtë marrëveshje gjithashtu rregullohen të drejtat, obligimet dhe statusi i punës së të punësuarve si dhe kushtet e punës, duke krijuar më shumë siguri, mbrojtje më të mirë të të drejtave të punëtorëve dhe një kornizë më të qartë për funksionimin e institucionit.
Zëvendës kryetari i Qeverisë dhe ministri Stoilkoviq ka theksuar se nënshkrimi i Kontratës Kolektive paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të statusit të të punësuarve dhe krijimit të një administrate publike stabile, profesionale dhe të motivuar.
“Me këtë marrëveshje jo vetëm që avancohen të drejtat e të punësuarve, por ajo përfaqëson edhe një konfirmim të përkushtimit të fortë ndaj dialogut social dhe ndërtimit të një administrate publike moderne, efikase dhe transparente. Ky hap dërgon një sinjal të qartë se institucionet janë të përkushtuara në ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe funksional, në të cilin angazhimi i të punësuarve vlerësohet dhe respektohet”, ka theksuar Stoilkoviq.