Përfaqësues të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, të udhëhequr nga sekretari shtetëror Vladimir Stojanoviq, sot realizuan një takim me përfaqësues të Zyrës së Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare pranë OSBE-së, me rastin e fillimit të hartimit të “Strategjisë për zhvillimin e interkulturalizmit dhe kohezionit shoqëror 2027–2032” me Plan Veprimi. Hartimi i Strategjisë realizohet në përputhje me konkluzionin e miratuar në mbledhjen e 129-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Procesi do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, me mbështetje të rëndësishme nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Zyra e Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare, duke siguruar kështu kushte për realizim cilësor dhe në kohë të aktiviteteve të parapara.
Hartimi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të formoj grupe pune ndërinstitucionale në formë klasterësh, të cilat do të përgatisin një raport mbi nivelin e realizimit të strategjisë aktuale (2024–2026), në bazë të pesë klasterëve: Institucione, arsim, media, kohezion shoqëror dhe politika interkulturore. Për këtë qëllim, Ministria tashmë ka caktuar persona përgjegjës për përgatitjen e raporteve, ndërsa institucioneve përkatëse u janë dërguar shkresa për nominimin e përfaqësuesve në grupet e punës sipas klasterëve. Paralelisht, do të realizohet një vlerësim i nevojave dhe perceptimeve të qytetarëve lidhur me marrëdhëniet ndëretnike, përmes pyetësorëve, grupeve të fokusit dhe intervistave, për çka do të angazhohet një ekspert vendor. Aktivitetet e fazës së parë pritet të përfundojnë deri në fund të shtatorit të vitit 2026.
Në fazën e dytë do të angazhohen pesë ekspertë vendor (nga një për secilin klaster), si dhe një ekspert kryesor shtesë, të cilët së bashku me grupet e punës do të punojnë në përgatitjen e tekstit përfundimtar të Strategjisë.