Sigurohet mbështetje për hartimin e Strategjisë Nacionale për Interkulturalizëm dhe Kohezion Shoqëror 2027–2032

Sigurohet mbështetje për hartimin e Strategjisë Nacionale për Interkulturalizëm dhe Kohezion Shoqëror 2027–2032

Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, në bashkëpunim me Agjencinë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, ka nisur procesin e hartimit të “Strategjisë për zhvillimin e interkulturalizmit dhe kohezionit shoqëror 2027–2032 me Plan Veprimi”, në përputhje me konkluzionin e Qeverisë së RMV-së të miratuar në mbledhjen e 129-të.

Në kuadër të këtij procesi, është siguruar mbështetje e rëndësishme nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Zyra e Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare të OSBE-së, duke krijuar kushte për realizim cilësor dhe në kohë të aktiviteteve të parapara.

Procesi i hartimit të Strategjisë do të zhvillohet në dy faza. Në kuadër të fazës së parë, Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të formojë grupe pune ndërinstitucionale (klasterike), të cilat do të përgatisin një raport mbi shkallën e realizimit të strategjisë aktuale (2024–2026). Paralelisht, do të bëhet një vlerësim i nevojave dhe perceptimeve të qytetarëve të RMV-së në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike. Për këtë qëllim do të përgatiten pyetësorë, do të organizohen grupe fokusi dhe do të realizohen intervista, për çka do të angazhohet një ekspert vendor. Aktivitetet e fazës së parë pritet të përfundojnë deri në fund të shtatorit 2026.

Në fazën e dytë parashihet angazhimi i disa ekspertëve vendorë, të cilët së bashku me grupet e punës do të punojnë në hartimin e versionit përfundimtar të Strategjisë. Kjo fazë pritet të përfundojë deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2026.

Me këtë mbështetje dhe qasje partneriteti mundësohet një proces gjithëpërfshirës dhe inkluziv për hartimin e një dokumenti strategjik, i cili do të kontribuojë në avancimin e interkulturalizmit dhe forcimin e kohezionit shoqëror në vend.

Accessibility Menu