Me rastin e 28 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive organizoi një manifestim solemn që u mbajt sot, në hapësirat e Ministrisë, duke filluar nga ora 12:00.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të bashkësisë boshnjake, nxënës nga SHFK “Vëllazërim Bashkimi” nga fshati Konjare e Mesme dhe shkolla periferike “Dituria” nga fshati Lubin si dhe mysafirë të shumtë dhe miq të bashkësisë boshnjake.
Në fjalimin tij, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive theksoi: “Me rastin e sotëm, me një ndjenjë të veçantë nderi dhe përgjegjësie, më lejoni që në emër të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe në emrin tim personal, të përcjell urimet më të sinqerta me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve. Boshnjakët janë pjesë e pandashme e strukturës multietnike të shtetit, ata kanë një rol të rëndësishëm në avancimin e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe jetës publike. Ata janë shembull i vlerave si bashkëjetesa, dialogu dhe solidariteti.”
Ministri theksoi se, në kohë sfidash globale si polarizimi dhe përjashtimi, shteti ka një detyrë, por edhe një privilegj, të jetë hapësirë ku dialogu dhe respekti i ndërsjellë përbëjnë themelin e bashkëjetesës së përbashkët.
“Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive do të mbetet partner i palëkundur i të gjitha bashkësive etnike në vend, duke punuar për avancimin e të drejtave të tyre, ruajtjen e identitetit kulturor të tyre dhe ndërtimin e një shoqërie që nuk lë askënd pas,” tha ministri dhe shtoi: “Vetëm përmes mirëkuptimit të ndërsjellë, mundësive të barabarta për të gjithë dhe respektit ndaj dallimeve, mund të ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Në frymën e këtyre vlerave, Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve!”.