Zëvendëskryeministri në Qeverinë e RMV-së dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Ivan Stoilkoviq, pasditen e sotme priti dhe zhvilloi një takim me ministrin për integrime evropiane në Qeverinë e Republikës së Serbisë, Nemanja Staroviq.
Staroviq ndodhet për një vizitë dyditore në vendin tonë, ku sot dhe nesër po mbahet Samiti i Liderëve BE – Ballkani Perëndimor, në të cilin do të diskutohet për përshpejtimin e zbatimit të Planit të BE-së për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
Në samitin e liderëve është paralajmëruar pjesëmarrja edhe e liderëve nga Ballkani Perëndimor, si dhe e ministrave, përfaqësuesve të lartë nga Bashkimi Evropian, organizata rajonale dhe institucione ndërkombëtare.
Nesër, në kuadër të samitit të liderëve, do të mbahen dy panele, ku i pari do t’i kushtohet Planit për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa i dyti mekanizmave konkretë dhe mbështetjes për zbatimin e këtij Plani.