Trajnim për metodologjinë kërkimore dhe shkrimin analitik në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive

Trajnim për metodologjinë kërkimore dhe shkrimin analitik në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive
 

 

Gjatë periudhës nga 3 deri më 7 korrik 2025, në ambientet e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive u mbajt një trajnim me titull “Metodologji Kërkimore dhe Shkrim Analitik”, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup. Trajnimi ishte i dedikuar për të punësuarit në Ministri, me qëllim përmirësimin e aftësive të tyre në fushën e kërkimit dhe përgatitjes së dokumenteve analitike që kontribuojnë në krijimin efektiv të politikave publike.

Trajnimi ofroi një qasje gjithëpërfshirëse ndaj metodologjive kërkimore, mënyrave të mbledhjes dhe analizës së të dhënave, si dhe teknika për shkrim analitik të qartë dhe efektiv. Pjesëmarrësit patën mundësinë të punojnë në ushtrime praktike, diskutime dhe simulime që pasqyrojnë sfida reale nga puna e përditshme në administratën publike.

Nga Misioni i OSBE-së në Shkup theksojnë se qëllimi i trajnimit është të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve institucionale që mundësojnë krijimin e politikave gjithëpërfshirëse të bazuara në analiza të thella dhe të dhëna konkrete.

“Misioni i OSBE-së në Shkup trajnon profesionistët e Ministrisë për Marrëdhënie Ndëretnike me aftësi për kërkim dhe shkrim analitik. Me mjete praktike dhe njohuri të reja, ata janë më mirë të përgatitur për të formësuar politika gjithëpërfshirëse të bazuara në fakte – atje ku nevojiten më së shumti. Sepse profesionistët e fuqizuar sjellin ndryshimin e vërtetë në komunitetet e tyre”, thuhet nga OSBE.

Pjesëmarrësit e vlerësuan trajnimin si shumë të dobishëm dhe të aplikueshëm në punën e tyre të përditshme. Si rezultat i komenteve pozitive, Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Misioni i OSBE-së paralajmërojnë bashkëpunime të ardhshme në trajnime dhe aktivitete zhvillimore të ngjashme, me fokus në tema që kontribuojnë për gjithëpërfshirje, transparencë dhe efikasitet në institucionet publike.

Accessibility Menu