Me një mbrëmje poetike multikulturore dhe një ekspozitë nisën aktivitetet e projektit “Ditët e kulturës vllehe”

Me një mbrëmje poetike multikulturore dhe një ekspozitë nisën aktivitetet e projektit “Ditët e kulturës vllehe”

Shoqata Vllehe për të Drejta dhe Humanizëm *Integra Nau* nga Shkupi, në kuadër të projektit “Ditët e kulturës vllehe”, duke filluar nga fundjava, organizon një sërë aktivitetesh që paraqesin një mundësi të rëndësishme për afirmimin e trashëgimisë së pasur kulturore të komunitetit vlleh si pjesë e mozaikut të identiteteve etnike e kulturore që përbëjnë realitetin multietnik bashkëkohor të shoqërisë sonë.

“Ditët e kulturës vllehe” është projekt i mbështetur dhe financuar nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa janë paraparë gjithsej gjashtë aktivitete: Mbrëmje poetike multikulturore, Panaire kulturore për fëmijë dhe katër Ekspozita me fotografi të vjetra nga jeta e Vllehëve, objekte nga e kaluara, si dhe kostume tradicionale nga treva të ndryshme të vendit. Ekspozita, përveçse në Shkup, do të prezantohet edhe në Manastir, Krushevë dhe Shtip, qytetet ku jetojnë në numër më të madh bashkësia vllehe.

Mbrëmja poetike multikulturore e mbajtur mbrëmë, ku foli edhe sekretari shtetëror në Ministri, z. Vladimir Stojanoviq, ishte një rast i rëndësishëm për afirmimin e trashëgimisë së pasur kulturore të komunitetit vlleh. Ndërsa në kuadër të ekspozitës “Fotot dëshmojnë”, të hapur sonte, të pranishmit patën mundësinë të shohin gjithsej 64 fotografi të vjetra që paraqesin në mënyrë vizuale segmente nga jeta e Vllehëve të Gëramoshtës, Farsharëve dhe Moskopoleanëve, duke pasqyruar aktivitetet e tyre të ndryshme, punë me bagëti, punë shtëpie, festa dhe tubime me raste të ndryshme.

Fotografitë në pjesën më të madhe datojnë nga fillimi i shekullit të kaluar, pra prej viteve 1900–1940, por kishte edhe disa më të hershme nga fundi i shekullit XIX. Pjesë e ekspozitës ishin edhe objekte që Vllehët i kanë përdorur në të kaluarën, si dhe kostume tradicionale nga treva të ndryshme të Maqedonisë, përfshirë pjesën lindore të vendit, Shtipin, Sveti Nikolen, Velesin, Kumanovën, por edhe kostume qytetare nga Manastiri dhe Krusheva. Po ashtu u ekspozuan edhe pëlhura delikate që dikur përdoreshin për mbulimin e bukës gjatë kohës deri sa të bëhej gati dhe përgatitjes për në furrë, si dhe për ruajtjen e bukës së pjekur.

Përveç kësaj, u ekspozua edhe literaturë për Vllehët që është pjesë e arkivit të pasur të Bibliotekës Kombëtare “Shën Klimenti i Ohrit”. Vizitorët patën gjithashtu mundësi të ndiqnin disa intervista video me të rinj vllehë, të cilët folën për gjendjen dhe perspektivën e gjuhës vllehe.

Accessibility Menu