Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive organizoi ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive organizoi ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Me rastin e 21 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, në bashkëpunim me Drejtorinë për Zhvillimin dhe Përparimin e Arsimit në Gjuhët e Pjesëtarëve të Bashkësive dhe Drejtorinë për Afirmimin dhe Përparimin e Kulturës së Pjesëtarëve të Bashkësive, sot organizoi një ngjarje solemne kushtuar avancimit dhe afirmimit të diversitetit gjuhësor.

Në kuadër të shënimit u ndanë mirënjohje për dy institucione, Institutin për Gjuhën Maqedonase “Krste Misirkov” dhe Institucionin Kombëtar “Muzeu i Alfabetit Shqiptar” si dhe për mësimdhënësit Maria Nikollova, Axher Imetoska, Izeta Babaxhiq, Aida Zukoviq, Darija Kovaçeviq-Bozhinovska, Arabella Iljaz dhe Zhaklina Milinkoviq, përfaqësues të bashkësive etnike që mësimin e realizojnë në gjuhën amtare, si vlerësim për kontributin e tyre në kultivimin, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor të bashkësive.

Në këtë ngjarje fjalim mbajtën zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, si dhe drejtorët e dy drejtorive në kuadër të ministrisë, z. Mirosllav Triçkoviq dhe z. Ismail Demiroviq. U zhvillua edhe një diskutim konstruktiv për gjendjen në arsimin në gjuhët e bashkësive, ku u debatua për planet dhe aktivitetet aktuale, si dhe për sfidat dhe problemet me të cilat përballen bashkësitë në sigurimin e mësimit cilësor në gjuhën amtare, veçanërisht sa i përket teksteve shkollore në gjuhët e bashkësive etnike. Të pranishmit shkëmbyen mendime dhe propozime me qëllim përmirësimin e mbështetjes institucionale dhe tejkalimin e sfidave.

“Mirëkuptimi ndërmjet nesh dhe mirëkuptimi i të tjerëve, si dhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë themel dhe vetëm kështu mund të arrijmë rezultate dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha problemet”, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq, duke u dërguar mesazh autorëve të teksteve shkollore në gjuhët e bashkësive etnike që të mos dekurajohen dhe të vazhdojnë misionin e tyre për të mirën e gjeneratave të ardhshme.

Kjo ngjarje është pjesë e përpjekjeve për mbështetje të vazhdueshme të politikave që promovojnë barazinë, mosdiskriminimin dhe respektimin e të drejtës për arsim në gjuhën amtare.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e vendosur nga Kombet e Bashkuara dhe UNESCO në vitin 1999, ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e diversitetit gjuhësor si dhe nxitjen e arsimit në gjuhën amtare si parakusht i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kulturor dhe avancimin e respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës.

Accessibility Menu