Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, mori pjesë në Akademinë Solemne me rastin e shënimit të 80-vjetorit të kodifikimit të gjuhës standarde maqedonase, e organizuar nën patronazhin e Presidentes së RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në këtë ngjarje u dërguan mesazhe për ruajtjen dhe përdorimin e drejtë të gjuhës, e cila përbën shpirtin, identitetin dhe botëkuptimin e një populli. U theksua gjithashtu se zyrtarizimi i alfabetit dhe i gjuhës standarde maqedonase nuk është një konstruksion artificial, por paraqet një rrjedhë logjike të vazhdimësisë shumëvjeçare në kohë dhe hapësirë të gjuhës maqedonase dhe dialekteve të saj në të gjithë territorin gjuhësor.
Pasuria dialektore e kësaj gjuhe e përfshirë në letërsi dhe standard e bën atë të veçantë, unike, me një histori të gjatë dhe me një kontribut të rëndësishëm në kuadër të grupit të gjuhëve sllave dhe familjes gjuhësore botërore.
“Kjo ditë, e cila shënohet si një fitore gjuhësore dhe kulturore, është një simbol i rëndësishëm për popullin maqedonas, ndërsa përvjetori i këtij momenti historik kaq të rëndësishëm është një kujtesë për domethënien e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës maqedonase. Kujdesi për gjuhën amtare është thelbësor për ruajtjen e identitetit kulturor, historik dhe kombëtar, dhe ajo nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe themel i kujtesës personale dhe kolektive, traditës dhe vlerave,” tha Stoilkoviq me rastin e Ditës së gjuhës maqedonase.