Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shkup do të mbështesë Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në zbatimin e Strategjisë së saj, me fokus në forcimin e kohezionit social, përfshirjen dhe krijimin e politikave publike të bazuara në të dhëna dhe dëshmi konkrete.
Kjo ishte në fokus të takimit për bashkëpunim dhe shkëmbim të ideve, të mbajtur në zyrat e OKB-së në Shkup, ku morën pjesë përfaqësueset Laura Fiorotto dhe Ardita Zekiri, si dhe Shpend Murati, shef i Kabinetit të ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë, Sueda Bajrami dhe Xhelal Çajani.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për mbështetjen e Ministrisë në zbatimin e Strategjisë së saj, duke përdorur hulumtimin, të dhënat dhe analizat si bazë për hartimin dhe zbatimin e politikave më efektive. Në këtë drejtim, theksi u vendos në forcimin e kohezionit social dhe në krijimin e bashkësive më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte SCORE Social Cohesion Survey, i cili ofron të dhëna dhe njohuri të rëndësishme për faktorët që ndikojnë në kohezionin social, marrëdhëniet ndërmjet bashkësive dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria.
Në takim u theksua se të dhënat dhe rezultatet e hulumtimeve duhet të shërbejnë si bazë për veprime konkrete dhe politika publike. Një qasje e tillë mundëson që zbatimi i Strategjisë së Ministrisë të jetë më i orientuar drejt nevojave reale të qytetarëve, të mbështetet në dëshmi dhe të prodhojë rezultate të matshme.